Në datën 03.02.2021, në përkujtim të të madhit Dritëro Agolli, nxënësit e Shkollës NEHEMIA organizuan një aktivitet në nder të këtij kolosi të letërsisë shqipe, nën drejtimin e mësueses së Gjuhës dhe Letërsisë, Anila Bazelli si dhe me bashkëpunimin e Bibliotekës “Mitrush Kuteli”. Në këtë datë, para katër vitesh, u nda nga jeta Dritëro Agolli, duke shkaktuar një plagë të thellë jo vetëm për familjarët dhe miqtë e tij, por për të gjithë kombin shqiptar. 

Në kuadër të këtij organizimi, secili prej nxënësve përgatiti diҫka të veҫantë që plotësonte në tërësi figurën komplekse të shkrimtarit, të përfaqësur në ese, punime kërkimore, poezi apo edhe një video. Fillimisht, u vendos videoja prezantuese e ndjekur nga një ese mbi shkrimtarin. Të dyja së bashku, krijuan një panoramë të përgjithshme, duke ravijëzuar kështu tiparet kryesore të tij. Informacione të mëtejshme u përcollën nga një punim i detajuar për jetën dhe veprën e Agollit, e cila e nxori më në pah aftësinë e pazëvendësueshme krijuese të tij. Nuk mbeten prapa poezitë të interpretuara më plot ndjenjë nga disa prej nxënësve pjesëmarrës, të cilat transmetuan te gjithsecili nota të forta emocioni. Në përmbyllje të aktivitetit, mesuese Anila Bazelli, bëri një përmbledhje dinjitoze dhe të strukturuar mbi Dritëro Agollin, duke i implifikuar akoma edhe më shumë emocionet që po përjetonim.   

Dritëro Agolli është pa dyshim një ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë sonë bashkëkohore. Një nga figurat më të shquara të mendimit dhe të letrave shqipe. Ai është një mjeshtër i rrallë i humorit dhe satirës, sidomos në gjininë e fabulës. Qartësia e mendimit dhe puna për skalitjen e karaktereve e gdhendjen e fjalës, janë ato që e dallojnë stilin e tij të papërsëritshëm. Për këtë arsye, është shumë e vështirë që vdekja tokësore ta ndalojë Agollin. Ndoshta ai nuk gjendet më fizikisht mes nesh, por është e sigurt se shpirti i tij do të jetojë brenda veprave që ai la pas, duke e bërë kështu kujtimin e tij të pavdekshëm.