Aktivitetet Jashtëshkollore

Royal Rangers

Programi Royal Rangers është për fëmijë të të gjitha moshave. Përmes lojërave në grup si dhe aktiviteteve të përbashkëta fëmijët mësojnë si të mbrojnë natyrën, të jenë një me të, si të mbështesin njëri-tjetrin dhe të ndihmojnë në rast nevoje. 

Ata mësojnë vlera të krishtera që kanë në themel Biblën, të cilat i ndihmojnë të kuptojnë që pa këto vlera nuk mund të ndërtosh një skuadër të fortë, skuadër mbështetëse.

Apliko për kampin ditor 2020.

Programi për qarkullimin rrugor

Aksidentet rrugore janë kthyer në një problem serioz në Shqipëri dhe kjo për shkak të mungesës së një trajnimi të duhur mbi qarkullimin rrugor. Për këtë arsye, në bashkëpunim me policinë bavareze, ne krijuam programin e qarkullimit rrugor, i cili mundëson që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë rregullat e duhura. Ata trajnohen të jenë shoferë, këmbësorë dhe pasagjerë të përgjegjshëm.

Ky program mundësohet jo vetëm për nxënësit e Shkollës NEHEMIA, por edhe ata të shkollave publike të qytetit dhe fshatrave përreth. Personeli që drejton dhe koordinon programin është i specializuar në Gjermani. Çdo vit akademik 600 fëmijë janë pjesë e këtij programi.


business@school

Nehemiah Gateway Albania është pjesë e iniciativës ndërkombëtare nga Boston Consulting Group dhe gjithashtu mikpritëse e këtij projekti në Rrethin e Pogradecit. Qëllimi i këtij projekti është që nxënësit e shkollave të mesme të marrin një shije fillestare mbi botën e biznesit. Përmes tre fazave, studentët analizojnë një biznes (të madh dhe të vogël), zhvillojnë idenë dhe planin e biznesit të tyre dhe në fund e prezantojnë atë, në një konkurs, përballë një jurie.


Art dhe muzikë

Ne ofrojmë disa kurse të specializuara, të cilat fokusohen në anën artistike të nxënësve. Zdrukthtari, skulpturë, pikturë, vizatim, aktrim, piano dhe violinë janë disa nga kurset që ndihmojnë nxënësit të zbulojnë talentet e tyre dhe gjithashtu të krijojnë një eksperiencë edukimi më të plotë.


Programi për paketat ushqimore

Në mënyrë që të ofrojmë ndihmë në disa nga familjet më të varfëra, shkolla jonë ka krijuar një partneritet me biznesin lokal. Nxënësit shkojnë nëpër biznese të ndryshme për të ngritur fonde dhe më pas ata bashkëpunojnë me punonjësit social të Nehemiah Gateway Albania për t'i shpëndarë te ata që kanë më shumë nevojë.  


Programi për ndërgjegjësim social

Nxënës të klasave të shtata dhe të nënta organizohen në grupe të vogla dhe në data të caktuara marrin udhëzime nga administrata e Nehemiah Gateway Albania dhe ndihmojnë në programin e përditshëm, duke marrë pjesë në procese të ndryshme të punës. Në këtë mënyrë, nxënësit njihen me profesione të ndryshme dhe mënyrën se si funksionon organizata.


Aktivitete kulturore-artistike

Çdo muaj shkolla organizon aktivitete kulturore-artistike për nxënësit, të cilët të mund të performojnë. Disa klasa mblidhen së bashku dhe shijojnë performancat e shokëve të tyre në poezi, dramë, këngë etj.