Çdo lloj kufizimi, fizik apo mendor, mund të shkaktojë izolim nga shoqëria. 

Në komunitetin tonë, nevoja është shumë e madhe. Për këtë arsye, ne ofrojmë disa shërbime për fëmijë dhe të rritur që kanë probleme të veçanta shëndetësore, qofshin ato fizike apo mendore. Shërbimet ndihmojnë klientët që të përshtaten më shpejt në familjet e tyre dhe në komunitet.


Infermieria

Një shërbim mjekësor cilësor është i vështirë për t'u mundësuar, në të shumtën e rasteve. Ne ofrojmë një sërë shërbimesh infermierore personave në nevojë, kur atyre vetë u mungon mundësia për të gjetur një shërbim cilësor. Përveç shërbimit falas për klientët tanë social në qendrën tonë, në Buçimas, ne kemi gjithashtu mundësinë që t'iu ofrojmë të njëjtat shërbime, në shtëpitë e tyre, edhe atyre që e kanë të pamundur të vijnë në infermierinë tonë. 


Fizioterapia

Në qendrën tonë, fizioterapistë të trajnuar ndihmojnë persona me dëmtime fizike që të mund të rikuperohen sa më shpejt dhe të jetojnë një jetë më cilësore. Shpesh ndodh që këto dëmtime vështirësojnë ardhjen e tyre në qendrën tonë dhe për këtë arsye ne iu mundësojmë shërbime fizioterapie edhe në shtëpitë e tyre.

 


Qendra e shërbimit logopedik

Ka një nevojë të madhe për shërbime logopedie, si dhe për Sindromën Down dhe autizmin. Në qendrën tonë të shërbimit logopedik, ne ofrojmë terapi të foluri dhe edukim për persona me aftësi ndryshe, për 60 persona rregullisht. Gjithashtu, çdo vit organizohen kampe ditore, në të cilat iu shërbehet fëmijëve me aftësi ndryshe nga punonjëset tona sociale dhe ndihmohen fëmijët të komunikojnë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale. 


Mensat sociale dhe pakot ushqimore

Ky projekt është krijuar 25 vjet më parë si një shërbim ditor për njerëzit, të cilët nuk kishin aspak ose shumë pak të ardhura. Aktualisht, ne kemi mensa sociale në Pogradec (Amaro Tan) dhe Gjirokastër. Këto mensa u shërbejnë jo vetëm fëmijëve që janë pjesë e programit tonë arsimor në këto qendra, por edhe njerëzve në nevojë, të cilët marrin çdo ditë një vakt të ngrohtë.  

Çdo vit përgatiten paketa ushqimore dhe shpërndahen nëpër familje, të cilat ndodhen në zona të thella të Rrethit të Pogradecit. Pakot përmbajnë ushqime bazë si (oriz, makarona, sheqer, vaj etj.) dhe në këtë mënyrë plotësohen nevojat afatshkurtra të këtyre familjeve. 


Ndihma humanitare

Përgjatë dimrit të vitit 2016, temperaturat në Pogradec zbritën nën zero dhe për shkak se shumë shtëpi nuk kishin izolim të mirë, tubacionet e ujit ngrinë dhe shtëpitë ishin shumë vështirë për t'u ngrohur. Në raste të tilla emergjente, ne kemi mundësinë të ofrojmë një zgjidhje të shpejtë duke shpërndarë dru zjarri, ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe të tjera të mira materiale bazë. 

400

Pako ushqimore vjetore

4000

Vizita në shtëpi

60

Klientë të rregullt

199

Vakte të ngrohta ditore