Përgjegjësia Sociale është një projekt që zhvillohet përgjatë gjithë vitit shkollor me nxënësit e klasave VI - IX të Shkollës NEHEMIA. Nga ky projekt ata mësojnë më shumë rreth përgjegjësive të tyre, për veten, mjedisin që i rrethon, por edhe për komunitetin dhe shoqërinë ku ata bëjnë pjesë.

Është një projekt, i cili fillimisht i mëson nxënësit teorikisht për përgjegjësinë që ata kanë në fushat e lartpërmendura, e më pas i nxit, i inkurajon, që të ndërmarrin sfida dhe veprimtari konkrete për veten e tyre, duke ndihmuar në projekte të ndryshme sociale brenda Nehemiah Gateway Albania e shoqata të tjera lokale.  Sfidat dhe përgjegjësitë që ata ndërmarrin, ndikojnë në zhvillimin dhe rritjen e mëtejshme të vetëdijes së tyre, qoftë si individë, qoftë si pjesë e një shoqërie më të gjerë. Pjesëmarrja në këtë projekt rrit tek çdo nxënës pjesëmarrës empatinë që ata duhet të kenë për gjithkënd, për të mirën e madhe, atë të klasës, shkollës, qytetit dhe gjithë shoqërisë. 

Programi i këtij projekti është një ndërthurje e mirëkoordinuar e teorisë dhe praktikës, ku nxënësve fillimisht iu prezantohet pjesa teorike e më pas këto njohuri zbatohen në veprimtari të ndryshime praktike. Disa nga veprimtaritë praktike të zhvilluara nga nxënësit janë: ndihmë pranë Fondacionit Nehemiah Gateway Albania te departamenti i marketingut dhe menca, si dhete Qendra “Drita e Shpresës”. Këta nxënës mbështesin edhe nxënësit e klasave I – III të Shkollës NEHEMIA nëpërmjet të nxënit duke shërbyer (Service Learning) për përmirësimin e njohurive në gjuhët e huaja.  Motoja e projekjtit është: “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetem gjëra të vogla me dashuri të madhe”. 

Këtë javë nxënësit tanë në projektin “Përgjegjësia Sociale” vizituan Qendrën “Drita e Shpresës” ku dhanë kontributin e tyre duke ndihmuar punonjësit atje me punë të ndryshme si; gatim, qëndisje, pikturë e duke kaluar një kohë miqësore e të frytshme me klientët e kësaj qendre.